Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

KQZ miraton raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2025

Gazeta10
27 Prill 2026 - 15:23

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e sotme ka miratuar raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2025.

Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se raporti përmban pjesë që kanë të bëjnë me procesin parazgjedhor, zgjedhor dhe paszgjedhor.

“Mirë, raporti i punës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës për vitin 2025. Natyrisht, ky raport përmban pjesë që kanë të bëjnë me procesin, po themi, parazgjedhor, zgjedhor dhe paszgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Pastaj përmban aktivitete që kanë të bëjnë me përfundimin e këtij procesi dhe fillimin e procesit tjetër që ka qenë ai i planifikuari, pra që ka të bëjë me zgjedhjet lokale, raundin e parë dhe gjithashtu edhe raundin e dytë, si dhe për pjesën që ka të bëjë me organizimin e zgjedhjeve të fundit të 28 dhjetorit 2025.

Gjithashtu, raporti përmban edhe aktivitete të tjera që KQZ-ja ka organizuar si pjesë e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore në përmbushje, pra, të atyre detyrimeve dhe gjithashtu edhe aktivitete që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombëtar me organizata simotra, po themi, të vendeve të ndryshme dhe pjesëmarrjen e KQZ-së në konferenca apo edhe shkëmbime të ndryshme, përfshirë vëzhgimin e zgjedhjeve në disa prej vendeve dhe sjelljen e atyre përvojave, eksperiencave edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Për fund, raporti përmban edhe pjesën e sfidave, por edhe të rekomandimeve të cilat janë të renditura aty dhe të cilat në njëfarë mënyre janë formalizuar që më parë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmes vendimmarrjes, por që tash ka qenë edhe propozimi im që ato të futen, pra rekomandimet që janë futur aty, kryesisht rekomandime që kanë të bëjnë me ndryshimet ligjore si pjesë, po themi, që i përket realisht në këtë rast Kuvendit, dhe natyrisht varësisht pas zhvillimeve që do të jenë, por edhe vendimmarrjes për t’u parë nëse këto pastaj rekomandime do të merren në konsideratë nga vendimmarrësit, e jo ne që i kemi, i kemi bashkërisht, i kemi, po themi, identifikuar dhe i kemi adresuar.

Natyrisht, pjesë e këtyre rekomandimeve janë edhe, po themi, edhe raportet e monitoruesve dhe të tjerëve që i kanë bërë edhe organizatat e shoqërisë civile, por edhe monitoruesit ndërkombëtarë, vëzhguesit ndërkombëtarë që i kanë paraqitur edhe në raportet e fundit nga BE-ja, po edhe të tjerët që kanë ardhur prej raportuesve apo institucioneve të tjera. Si i tillë, ky raport është shqyrtuar edhe në Komisionin për Administratë Publike, janë propozuar disa ndryshime të vogla dhe përmirësime kryesisht të karakterit teknik dhe gramatikor, dhe aq sa kemi parë, sa kemi lexuar e sa kemi mundur, raporti përmban të gjitha ato që kemi, i kemi theksuar dhe kemi propozuar që të futen që në fillim atëherë, dhe si i tillë konsiderojmë që plotëson kushtet edhe nga aspekti teknik që të miratohet dhe të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KQZ-ja i përgatit Kuvendit të Kosovës një raport vjetor, në muajin prill dhe duhet të përmbajë informata lidhur me aktivitetet e KQZ-së dhe rekomandimet që KQZ-ja i sheh si të përshtatshme që të trajtohen në Kuvend.

Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.