
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, transmeton Gazeta10.
Në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ ka miratuar planin operacional dhe planin për buxhetin, që kap shifrën 556 mijë e 482 euro.
Zëdhënësi i KQZ-së tha për Gazetën Express se KQZ nuk ka buxhet për këto zgjedhje, mirëpo kërkesa buxhetore do t’i dërgohet Qeverisë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe planifikimin buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve, i cili është në shumën: 556 mijë e 482 euro. Ashtu siç kërkohet me ligj, me këtë buxhet planifikohen të dy raundet e zgjedhjeve. Meqenëse këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe KQZ-ja nuk ka buxhet, kërkesa buxhetore do t’i dërgohet Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Elezi./Gazeta10.