Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Krasniqi: Situata në veri është mjaft shqetësuese

Gazeta10
28 December 2022 - 17:33

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se situata në veri është mjaft shqetësuese, raporton Gazeta10.

Krasniqi ka thënë se i takon Qeverisë së Kosovës që të tregojë nëse ka pasur marrëveshje të fshehur me Serbinë për lirimin e policit Dejan Pantiq në shkëmbim të heqjes së barrikadave.

“I takon Qeverisë që të dal e të shpjegoj a ka qenë e përfshirë në diçka të tillë, sepse ajo që është diskutuar plotë herë gjatë ditëve të fundit që Qeveria duhet të pajtohet me lirimin e të arrestuarit Pantiq në arrest shtëpiak në mënyrë që të të hiqen barrikadat. Nëse kjo është një marrëveshje e fshehur që e ka bërë Qeveria, mirë është që të na tregoj që ta arsyetoj këtë vendim”.

Më tej, ai ka thënë se Qeveria nuk duhet të pretendojë në vendimet e gjyqësorit.

“Edhe pse në Kosovë pushtet janë të ndara, Qeveria nuk duhet të pretendojë me ndërhy në vendimet e gjyqësorit. Është pak e çuditshme sepse, unë nuk e kam lexuar aktakuzën, por nëse thuhet që është akuzuar për terrorizëm, lirimi në arrest shtëpiak është konfuz, është me pikë pyetje dhe nuk jam i sigurt që mund të behët pa pasur edhe një lloj mbështetje politike. Nëse kjo mbështetje ka ardhur nga ana e Kurtit ai nuk ka nevojë të fshihet duhet të jetë i sinqertë me qytetarët dhe të dal të arsyetoj nëse ka qenë i involvuar në një formë apo tjetër në këtë vendim”.

Tutje, ai ka thënë se nuk ka pasur përmirësim qe tri javë në situatën ne veri.

 “Situata në veriun e vendit është mjaft shqetësuese, fatkeqësisht në këto pothuajse tri javë nuk ka pasur një përmirësim, por përkundrazi ka shkuar duke u përkeqësuar gjendja. Shqetësimi im par se gjithash ka të bëjë me qytetarët atje sepse niveli i sigurisë ka shkuar duke rënë dhe në gjitha komunikimet që ne i kemi me banorët shqiptarë veçanërisht, e shohim që ka një rritje të frikës dhe normalisht që na vjen keq nëse kjo situatë nuk zgjidhet shpejt”, tha ai.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka pasur një lloj mungese të fokusit dhe se veriu po kthehet në një realitet të ri.

 “E kam vrenjtur që ka pasur një mungesë edhe të fokusit të domosdoshëm nga ana e qeverisë, sepse një situata e tillë për kryeministrin e vendit, por edhe për presidenten nuk mund të ketë as një lloj prioriteti tjetër, por prioritet duhet të jetë kthimi i nivelit më të madh të mundshëm të normalitetit në veriun e vendit dhe vendosja e barrikadave nëse kthehet në një realitet të ri siç është duke ndodhur, duke u bërë përditshmëri e jona unë e shohë si një situatë prej të cilës është vështirë që të kthehemi aty ku dëshirojmë”, ka thënë ai për EO.

Krasniqi ka thënë se barrikadat janë vendosur nga ana e grupeve kriminale të cilat janë të kontrolluara nga Serbia.

“Janë vendosur barrikadat nga ana e grupeve kriminale, kjo është e pa kontestueshme, këto grupe kriminale duket qartë që janë të kontrolluara nga nivelet më të larta të udhëheqjes në Serbi. Andaj edhe në fillim kërkesën e parë ju kemi drejtuar partnerëve ndërkombëtar. Unë e di që ka pasur angazhime edhe nga ndërmjetësit ndërkombëtar”, tha ai.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës më herët i ka hequr barrikadat sa herë që janë vendosur.

“Sot në veri nuk ka targa RKS, nuk ka institucione të Kosovës që funksionojnë, nuk ka integrim të serbëve lokal, nuk ka as zgjedhje të cilat njëherë u shpallën e më pas qeveria dhe presidenca u tërhoqën nga mbajtja e tyre. Por çka ka barrikada, pra situatë ka shkuar duke u përkeqësuar dhe është kombinim i gabimeve dhe nacionalitetit të qeverisë tonë. Unë besoj që koordinimi me faktorin ndërkombëtar është i domosdoshëm, por nuk mund të jetë e vetmja rrugë nëse nuk ka as një avancim. Ne kemi pasur barrikada edhe në vitin 2018 ka pasur edhe në vitin 2011 dhe atyre barrikadave Qeveria e Kosovës atëherë ju ka dhënë përgjigjen i ka hequr ato barrikada. Dhe sot edhe pse mund te jetë vendimi i fundit që duhet mu ndërmarr është vendim që nuk duhet që të përjashtohet”, tha ai./ Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.