Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Krasniqi thumbon Qeverinë për mosvotimin e tërheqjes së Trustit: Martin po, Trust jo

Gazeta10
19 January 2023 - 18:26

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar lidhur me mosvotimin e Projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti në seancën e mbajtur sot në Kuvend, raporton Gazeta10.

Krasniqi ka thënë se është për keqardhje që për herë të dytë deputetët e partisë në pushtet duke mos e votuar këtë nismë po i injorojnë nevojat e qytetarëve.

“Është për keqardhje injorimi i vazhdueshëm që Qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po u bëjnë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, sikur kjo e tërheqjes së një pjese të kursimeve të tyre nga Trusti. Në vend të mbështetjes e ndihmës, e tëra që po përfitojnë qytetarët nga kjo Qeveri është keqqeverisja, skandalet korruptive, papërgjegjësia, regresi ekonomik e vështirësimi i jetës së tyre. Si pasojë e krizës së rëndë ekonomike, është hera e dytë që me kërkesë të qytetarëve vjen në Kuvend nevoja për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i dhe po ashtu është hera e dytë që kjo mazhorancë e injoron.”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje i pari i PDK-së, ka thënë se sa të kenë zyrtarë të lartë të partisë, tipa si Martin Berishaj, Kurtit nuk do t’i bëhet vonë për krizën me të cilën po ballafaqohen qytetarët.

“Sa t’i kenë për miq, anëtarë të partisë e zyrtarë të lartë tipat si Martin Berishaj, është normale që këtij Kryeministri do t’i mungojë vazhdimisht sensi i empatisë ndaj krizës me të cilën po ballafaqohen qytetarët.”, ka përfunduar ai.

Në seancën e mbajtur sot deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë thënë jo një tërheqjeje të re të mjeteve deri në 30 për qind nga Trusti, raporton Gazeta10.

Kundër tërheqjes së Trustit ishin 55 vota nga partia e cila është në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa 42 vota të opozitës ishin pro tërheqjes së mjeteve, ndërkohë që nuk kishte asnjë abstenim.

Pas dështimit të iniciativës së qytetarëve që të lejohet tërheqja e deri 30% të mjeteve të trustit, deputetët e opozitës lëshuan sallën./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.