
Raporti: Kanal10
Dy mjekë të Spitalit Rajonal të Gjilanit, janë arrestuar nga Policia e Kosovës, për shkak se dyshohen për marrje të ryshfetit. Sipas organeve të rendit, njëri kirurg dhe tjetri anesteziolog, dyshohet se kanë kërkuar ryshfet për kryerjen e një intervenimi. Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, ka thënë se të arrestuarit kanë qenë në kujdestari dhe se për këtë rast është njoftuar nga krimet ekonomike.
Për ta kryer një intervenim, një kirurg dhe një anesteziolog i kërkuan një pacienti, ryshfet, një shumë të konsiderueshme të parave.
Që të dy mjekët e Spitalit Rajonal të Gjilanit, të shtunën në mbrëmje, u arrestuan në vendin e punës, derisa ishin në kujdestari.
Policia e Kosovës, njoftoi se kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë njëqind euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje.
Po ashtu, dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë, kirurg në këtë spital, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr 330 euro, ndërsa kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.
“Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar. Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Lidhur me këtë rast, është deklaruar edhe drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini.
Ai ka thënë se gjatë mbrëmjes të së shtunës është informuar nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës për arrestimin e dy mjekëve.
“Sektori për Krime Ekonomike mbrëmë rreth orës 20:00 më ka njoftuar që janë arrestuar dy mjekë të cilët kanë qenë në kujdestari, një kirurg dhe një anesteziolog, për arsye të dyshimit për mitmarrje. Ata më kanë njoftuar për arsye se kanë qenë në kujdestari dhe është dashtë me organizu kujdestarinë që meqë i kanë marrë për intervistim dhe më vonë e kam marrë vesh që i kanë ndalu për 48 orë.”, deklaroi Arsim Emini – Drejtor i Spitalit Rajonal të Gjilanit.
Ndërkohë, lidhur me rastin, Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka thënë se brenda afatit ligjor do të kërkojnë paraburgim për të dyshuarit.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar dy persona në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj tyre do të kërkojë masën e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan.”, tha Liridona Xheladini – Zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Për masat ndaj dy mjekëve, drejtori Emini ka thënë se do të veprojnë në bazë të vendimit që do t’iu shkoi nga gjyqtari i procedurës paraprake. /Gazeta10