Krerët e shtetit kanë bërë homazhe tek përkujtimorja e ushtarakëve të NATO-s në sheshin e Prishtinës, ‘’Nënë Tereza’’.
Ata nga aty shprehën mirënjohje të thellë ndaj aleatëve që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, shkruan Gazeta10.
Presidentja, Vjosa Osmani tha mirënjohja ndaj miqve që ndihmuan lirin e pavarësinë tonë është e përjetshme.
‘’Jemi mirënjohës përherë dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës. Mirënjohje e përjetshme për të gjithë miqtë tanë që na ndihmuan për lirin pavarësinë që e gëzojmë të gjithë qytetarët.’’, tha Osmani.
Mirënjohje shprehu edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili përmendi edhe homazhet e bëra në Prekaz, tek varri i Rugovës e Demaçit.
‘’Pas çlirimit vjen paqja, sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë. Kujtuam duke vendosur lule të freskëta e homazhe te presidenti Rugova, Demaçi dhe Prekaz. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin ndaj popullit tonë. Jemi falënderues gjithmonë.’’, tha Kurti.
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca në këtë ditë të veçantë, krahas NATO-s nuk harroi të përmend edhe ata që dhanë më së shumti për këtë vend, dëshmorët e martirët që sakrifikuan për çlirim.
‘’Çlirim i Kosovës është shembulli më i spikatur i bashkëpunimit të suksesshëm mes vendit dhe faktorit ndërkombëtar. Dita e Çlirimit koncidoj edhe më ndaljen e gjenocidit. Kjo nuk mund të arrihej pa ndihmën e shteteve mike. Për këtë ditë dhanë shumë dëshmorët tanë, martirët kishte shumë sakrifica e mund për çlirim. Ata do të kujtohen gjithmonë. Dita më çmueshme e popullit.’’, tha Konjufca.
24 vite më parë Kosova u çlirua nga Serbia, e cila për vite me radhë kreu masakra gjatë pushtimit të saj./Gazeta10