
Raporti i Progresit ka ngritur kritika ndaj zyrtarëve të lartë të institucioneve për qasjen denigruese të përdorur ndaj gazetarëve. Gjetjet tregojnë se gazetarët po poshtërohen publikisht, sidomos përmes rrjeteve sociale. Andaj nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, thonë se kritikat e këtij dokumenti duhet të shërbejnë si thirrje për partinë në pushtet, që e njëjta të distancohet nga sulmet e kërcënimet ndaj gazetarëve. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian u ka kërkuar medieve që të jenë transparente në lidhje me pronësinë dhe financimin e tyre.
Raporti: Saranda Aliu, Kamera: Fisnik Slivova.
Gjuha denigruese që pushtetarët kanë përdorur ndaj gazetarëve, ishte një ndër kritikat kryesore të Raportit të Progresit sa i përket fushës së medieve.
Sipas gjetjeve të sivjetshme, lajmëtarët po poshtërohen publikisht, sidomos përmes rrjeteve sociale.
Mirëpo, asnjë prej këtyre rasteve nuk është paraqitur në raportin e fundit të Komisionit Evropian.
Megjithatë, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka thënë se kritikat e këtij dokumenti duhet të shërbejnë si thirrje për partinë në pushtet, që e njëjta të distancohet nga sulmet e kërcënimet ndaj gazetarëve.
Gazetarja Besarta Hoti, nga portali Periskopi, ka thënë se qasja arrogante e politikanëve ndaj gazetarëve është kthyer në normalitet, derisa ka treguar se një rast të tillë e ka përjetuar vetë.
Deri në qershor të këtij viti, sipas AGK-së, janë shënuar 5 raste të denigrimit publik kundër gazetarëve.
Ndërsa, në të dhënat e një viti më parë janë regjistruar 29 raste të sulmeve dhe kërcënimeve, ku njëri prej tyre është edhe sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi, i cili vazhdon të mbetet i pazgjidhur.
Por, përveç kritikave të shumta, në këtë raport pati edhe lëvdata sa i përket lirisë së medieve.
Përmes raportit të progresit, medieve iu kërkua që të jenë më transparente në lidhje me pronësinë dhe financimin e tyre./Gazeta10