Britania do të ketë sot zyrtarisht një kryeministër të ri. Rishi Sunak u emërua si kryeministër pasi ishte i vetmi kandidat që mori mbështetje nga më shumë se 100 deputetë të Partisë së tij Konservatore, shkruan Euronews, transmeton Gazeta10.
Sot është një ditë e rëndësishme ceremonish për Sunak dhe paraardhësen e tij Liz Truss. Kjo e fundit do të mbledhë për herë të fundit kabinetin, i cili me shumë gjasa do të ndryshojë pas marrjes së pushtetit nga Sunak.
Pas mbledhjes së kabinetit Truss pritet të bëjë një deklaratë jashtë Downing Street dhe më pas të udhëtojë drejt Buckingham Palace për t’i dorëzuar dorëheqjen mbretit Charles.
Pasi Truss t’i japë dorëheqjen e saj mbretit, ai do të takohet me Rishi Sunak dhe do t’i kërkojë atij të formojë një qeveri. Sunak më pas do të shkojë Downing Street, ku do të takohet me bashkëpunëtorët e tij.
Kush është Rishi Sunak?
Sunak lindi në qytetin bregdetar të Southampton si djali i prindërve emigrantë me origjinë Punjabi-Indiane. Me të hyrë në detyrë, Sunak do të bëhet kryeministri i parë hindu dhe jo i bardhë i Mbretërisë së Bashkuar.
Në moshën 42-vjeçare, Sunak do të jetë kryeministri më i ri i Britanisë në 200 vitet e fundit. Jeta e tij private luksoze ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes. Në të vërtetë, Sunak dhe gruaja e tij, trashëgimtarja e IT-së Akshata Murty janë ndër më te pasurit në Britani./Gazeta10