
Kryenegociatori Mohammad Bagher Ghalibaf tha të mërkurën se Irani është i gatshëm për “marrëveshje sigurie” me vendet islamike, së bashku me “bashkëpunim ekonomik”, shkruan CNN.
“Irani është i gatshëm për marrëveshje sigurie me vendet islamike, veçanërisht me vendet e Gjirit Persik, që të vendosen së bashku me bashkëpunim të qëndrueshëm ekonomik”, tha Ghalibaf gjatë Konferencës së Unionit Parlamentar të Shteteve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) në Baku, Azerbajxhan.
Ai tha se lufta e fundit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin “nuk ishte thjesht një përballje ushtarake”, por më tepër “një përpjekje e organizuar për t’i ndryshuar balancat strategjike rajonale”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio po viziton rajonin e Gjirit për ta promovuar marrëveshjen me Iranin te tri vendet që pritet të jenë ndër skeptikët më të mëdhenj. Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Kuvajti ishin ndër shtetet e Gjirit më të goditura nga Irani gjatë luftës.
Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar javën e kaluar midis SHBA-së dhe Iranit synon t’i ndalë luftimet, ta hapë Ngushticën e Hormuzit dhe të ofrojë lehtësim ekonomik për Iranin në këmbim të një zotimi për të mos zhvilluar kurrë armë bërthamore. Por ai lë pa zgjidhur detaje thelbësore si e ardhmja e programit bërthamor të Teheranit dhe rezervat e tij të uraniumit të pasuruar, të cilat duhet të trajtohen gjatë 60 ditëve të negociatave intensive.