Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kryeprokurori Gashi takon ambasadorin gjerman: Front i përbashkët kundër korrupsionit

Gazeta10
29 July 2026 - 16:03

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ku në fokus të diskutimeve ishin forcimi i sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë së Kosovës dhe atyre gjermane.

Në takim mori pjesë edhe këshilltari politik i Ambasadës së Gjermanisë, Payam Ghalehdar. Ambasadori Rudolph fillimisht e uroi Gashin për marrjen e detyrës së re si Kryeprokuror i Shtetit, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje në fushat ku institucioni i Prokurorit të Shtetit ka nevojë.

Gjatë takimit, palët diskutuan për rëndësinë e avancimit të proceseve në sistemin prokurorial dhe për rolin e tij në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

“Kryeprokurori i Shtetit dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë zhvilluan diskutime konstruktive për çështjet që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si një element kyç në rrugën drejt integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Në takim u trajtua edhe nevoja për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese gjermane, si dhe rëndësia e garantimit të pavarësisë institucionale të sistemit të drejtësisë.

Po ashtu, diskutimet përfshinë reformat e planifikuara nga Kryeprokurori Gashi për avancimin e proceseve të punës, integrimin e komuniteteve joshumicë në sistemin prokurorial, si dhe mbështetjen institucionale për investitorët e huaj që veprojnë në Kosovë.

Në përfundim të takimit, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, dhe ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, vlerësuan rëndësinë e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit institucional edhe në të ardhmen.

“Palët theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit institucional edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.