
Kryetari i Kaçanikut, Besim iIlazi, në një lidhje direkte me emisionin “Mëngjesi më Arben Ahmetin”, ka thënë se këtë vit buxheti i kësaj komune është rritur 15%, por megjithatë është i pamjaftueshëm për nevojat e tyre, pasi që si komunë e vogël të hyrat vetanake i kanë të vogla, raporton Gazeta10.
“Ne komunat e vogla kemi nevojë për mjete shtesë nga ministrit, sidomos për komunat e vogla siç është Kaçaniku, për shkak se të hyrat vetanake janë shumë më të ulëta se sa komunat e tjera. Për ndryshe ndarja e buxhetit është shabllon si vitet e tjera.”, ka thënë ai.
Ilazi, ka kritikuar qeverinë për buxhetin e propozuar për vitin e ardhshëm duke thënë se është viti i pestë që kjo komunë nuk ka fituar asnjë grant nga ndonjë ministri.
Ndërkaq, lidhur me ndarjen e mjeteve për komunitete të ndryshme si për persona me nevoja të veçanta, gra, komunitet rom, ashkali e egjiptian ka thënë se kjo bëhet varësisht subvencioneve që ndahen për grupe të ndryshme./Gazeta10