
Raporti: Viola Korça / Kanal10
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka raportuar se është kanosur nga dy persona. Sipas Policisë, tashmë dy të dyshuarit janë arrestuar dhe motivet janë se njëri nga ta nuk është i kënaqur me vlerësimin e pronës së tij nga komuna. Ndërkaq, për Kanal 10, lidhur me rastin kanë folur familjarët e të dyshuarit.
Pakënaqësitë rreth vlerësimit të pronës, ka bërë që kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, të marr mesazhe kërcënuese, nga dy persona.
Më pas, me dyshimet se është kanosur, Totaj rastin e ka paraqitur në organet e hetuesisë.
Zyrtarja për Informim në këtë komunë, Jona Hoxhaj nuk ka dhënë shumë detaje për rastin, duke thënë se me të po merren organet kompetente.
Nga Policia për rajonin e Prizrenit kanë thënë se të dyshuarit janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Familjari i të dyshuarit, i cili jeton tash e sa vite në këtë rrugë, ka thënë për Kanal 10 se arsyet kanë qenë pas pakënaqësive rreth dhënies së pronës.
Ndryshe, prona ndodhet në rrugën transit që lidhë Prizrenin me magjistralen Prishtinë-Gjakovë, projekt ky në të cilin punimet kanë nisur në vitin 2013.