
Kryetarja e Akademisë së Arteve te Shkencave, Justina Pula, ka publikuar një reagim në profilin e saj në ‘facebook’ sa i përket vendimit të fundit të Gjykatë Speciale për katër prej ish-drejtuesve të UÇK’së. Pula thotë se një vendim i tillë obligon të reflektohet jo vetëm mbi vendimin, por edhe mbi natyërn, mandatin dhe mënyrën se si funksionojnë Dhomat e Specializuara.
“Qëndrimi ynë kritik ndaj kësaj gjykate buron nga bindja se drejtësia, për të qenë e besueshme dhe e qëndrueshme, duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme”, ka shkruar ajo.
Kryetarja e ASHAK-ut thotë se secili mekanizëm i drejtësisë që trajton periudha të ndjeshme historike duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm që të mos krijojë perceptimin e një drejtësie selektive apo të një trajtimi të pabarabartë të viktimave dhe përgjegjësive.
“Respekti për të drejtën dhe për procedurat juridike nuk përjashton të drejtën për kritikë institucionale. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, legjitimiteti i institucioneve të drejtësisë forcohet pikërisht përmes transparencës, llogaridhënies dhe debatit të argumentuar publik”, ka shtuar ajo.
Profesoresha kosovare thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë së Kosovës.
“Proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri”, shton ajo.
“Prandaj, duke respektuar të drejtën e secilit për proces të rregullt dhe të gjitha mjetet juridike në dispozicion, shprehim rezervat tona të thella ndaj mënyrës se si kjo gjykatë është konceptuar dhe perceptuar, si dhe ndaj pasojave që mund të ketë në kujtesën historike, besimin publik dhe ndjenjën e drejtësisë. Institucioni që unë e drejtoj është gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar proceset e hulumtimit, të kërkimit dhe të interpretimit të të dhënave dhe të fakteve lidhur me luftën në Kosovë”, ka përfunduar Justina Pula.