Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kujt do t’i rritet, e kujt do t’i zvogëlohet paga?

Gazeta10
01 February 2023 - 19:42

Raporti: Saranda Aliu / Kanal10

Me zyrtarizimin e vlerës së koeficientit të pagave në sektorin publik, presidentja e vendit do të paguhet më së shumti. Ajo do të marrë 1 mijë e 890 euro, ndërsa kadeti i policisë e ai i FSK-së, në fillim të muajit do të paguhet vetëm 210 euro. Sipas ligjit të ri, rroga i është ulur presidentes, si dhe punonjësve në sektorin e drejtësisë, derisa u është rritur, kryeministrit, kryeparlamentarit, ministrave, deputetëve e zyrtarëve të tjerë shtetërorë. 

Ashtu siç e ka pozitën, edhe për nga paga presidentja e vendit do të jetë e para.

Me caktimin e vlerës së koeficientit të pagave prej 105 euro, tashmë janë bërë të ditura edhe pagat e të gjithë sektorit publik.

E derisa presidentja do të paguhet 1 mijë e 890 euro, e fundit renditet pozita e kadetit në polici dhe FSK, i cili do të marr veç 210 euro.

Pas presidentes, që sipas ligjit i është ulur paga, ajo u është rritur, kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, që do të paguhen me nga 1 mijë e 785 euro.

Si këta, të njëjtën shifër do ta kenë edhe pagat e kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit, derisa gjyqtari i Gjykatës Themelore do të paguhet 1260 euro, rreth 700 euro më pak.

Ndërkaq, rritje të pagave do të ketë edhe për ministrat e deputetët, që në fund të muajit do të marrin nga 1 mijë e 722 euro.

Paga e re e mjekut specialist do të jetë 1 mijë e 260 euro, e mjekut të përgjithshëm 777, e kryeinfermierit në QKUK, 672 euro, ndërsa 21 euro më pak se ky i fundit do të marrë kryeinfermieri në Spitale Rajonale.

Profesori universitar do të paguhet 1 mijë e 302 euro, ai i shkollës së mesme 609, mësimdhënësi  i shkollës fillore 588 euro, ndërsa edukatori 546.

Paga e re e Komandantit të FSK-së do të jetë 1 mijë e 575 euro, ndërsa ushtari 588 euro.

1 mijë e 522 euro do të paguhet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ndërsa polici 525 euro.

Njëjtë si polici do të paguhet edhe zjarrfikësi, derisa 840 euro do të marrë Komandanti i Brigadës.

Ligji i ri i Pagave në sektorin publik në Kosovë do të hyjë në fuqi nga 5 shkurti.

Për vitin 2023, vlera e koeficientit të këtij ligji është caktuar të jetë 105 euro, derisa Qeveria ka paralajmëruar se kjo vlerë do të ndryshojë në vitin e ardhshëm, varësisht nga buxheti i shtetit.  

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.