Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: Amerika, aleati historik i Kosovës

Gazeta10
19 May 2024 - 15:17

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot nënsekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan për Çështje dhe Diplomaci Publike, Elizabeth Allen.

Në fillim të këtij takimi Kurti tha se SHBA-ja është aleati historik i Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleatja, mikja dhe partnerja jonë historike, aktuale dhe e së ardhmes, andaj presim që të fuqizojmë dhe thellojmë bashkëpunimin bilateral, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe tregtisë”, theksoi kryeministri teksa shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për ndihmën, rolin dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara për çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.

“Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti e njohu nënsekretaren Allen me zhvillimet e fundit në vend, me progresin e shënuar në vitet e fundit në sundimin e ligjit dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, me politikat sociale që mbështesin gratë dhe fëmijët, reformën në arsim me qëllim ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe me politikat dhe investimet në sektorin e energjisë. Për këtë të fundit, ai falënderoi nënsekretaren Allen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara përmes USAID-së në përgatitjen dhe përmbylljen e suksesshme të ankandit të parë të energjisë solare dhe programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) i cili hyri në fuqi në fund të muajit të kaluar”, njofton ZKM-ja.

Në takim, kryeministri ngriti brengën e tij mbi kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, edhe për faktin që autori dhe lideri i grupit të terroristëve dhe paramilitarëve që ekzekutuan sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Sot nënsekretarja amerikane, u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani, ku nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
04 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.