
Prifti arbëresh Antonio Bellusci ka vdekur në moshën 90-vjeçare.
Për të e për kontributin e tij në çështje kombëtare ka shkruar në Facebook të enjten kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Kurti ka thënë se Bellusci ishte figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali, dhe një nga personalitetet më përbashkues mbarëshqiptar.
“Me hidhërim të thellë mora lajmin që miku ynë i kahmotshëm, Protopresbiteri i Eparkisë së Lungrës, At Antonio Bellusci, ose zoti Ndoni siç e thërrisnin sivëllezërit e tij arbëreshë, shkoi në amshim. Antonio Bellusci qe figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali, dhe një nga personalitetet më përbashkues mbarëshqiptar. Puna e tij në vitet ’60 për mbledhjen e materialeve etnografike e gjuhësore te arvanitasit e Greqisë qe e jashtëzakonshme. Ai hyri me mikrofonin e tij në shtëpitë e vëllezërve tanë për të imortalizuar gjuhën e tyre duke faktuar atë ekzistencë. Antonio Belusci jetoi e punoi për çështjen arbëreshe, për çështjen shqiptare”.