
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se energjia elektrike dhe siguria energjetike janë siguri kombëtare.
Kurti kujtoi dimrin e vitit 2021, për të cilin tha se rikujtoi në mënyrën më brutale brishtësinë energjetike, teksa shtoi se kapacitet prodhuese të Kosovës janë të kufizuara e i përkasin shekullit të kaluar.
“Kurse konsumi i energjisë është rritur në vazhdimësi. Dallimi duhet të plotësohet me import të energjisë. Por importi është shumë i shtrenjtë. Veçanërisht gjatë dimrit. Veçanërisht në ekonominë post-pandemike dhe pas agresionit rus në Ukrainë”.
“Këto dy vjet e gjysmë qeverisje, kemi punuar në mënyrë metodike për zgjidhjen afatgjate që meriton vendi ynë. Fillimisht ndamë 120 milionë euro për të siguruar furnizim të rregullt me rrymë dhe për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset nga rritja e çmimit të energjisë, të shkaktuar nga kriza energjetike”.
“Pastaj, vendosëm themelet për rritjen e kapaciteteve të prodhimit, duke siguruar 700 milionë euro investime në këtë sektor, në mesin e tyre marrëveshja për bateritë me MCC-në në vlerë prej 237.6 milionë dollarë. Kurse në të njëjtën kohë, kemi nxitur uljen e konsumit të rrymës duke subvencionuar kursimin e saj, dhe rritur efiçiencës përmes masave mbështetëse për pajisje elektrike dhe të ngrohjes”, shkroi Kurti.
Sipas tij krahas energjisë, teknologjia dhe inovacionin përbëjnë themelet e ekonomisë së shekullit 21.
“Qeveria është e përkushtuar të investojë në infrastrukturën digjitale, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe ekosistemin e inovacionit, që mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të TIK në vend. Tashmë kemi 100% mbulueshmëri të zonave të banuara me Internet brezgjerë. Janë alokuar frekuencat për rrjetin 5G. Së bashku me partnerë zhvillimorë jemi në proces të trajnimit të mbi 3,500 të rinjve dhe të rejave në fusha të ndryshme të TIK-ut. Përkrahëm trajnimin në TIK edhe të mbi 900 të tjerëve përmes sistemit të voucher-ëve. Hapëm Parkun e Teknologjisë Digjitale në Prishtinë”, shkroi më tutje Kurti.