
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pas situatës së re të krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Ai ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti se ka marrë peng Kuvendin dhe krejt institucionet e vendit.
Në një video në rrjetin social Facebook, Molliqaj ka thënë se e vetmja rrugëdalje për partitë politike opozitare është thirrja e popullit në protesta për ta ndalë Kurtin.
“Albin Kurti e mori peng sërish Kuvendin dhe krejt institucionet. Po e shantazhon opozitën, ja marrëveshje qysh du, kur du unë, ose zgjedhje kur du unë. E ai po dëshiron me i shty zgjedhjet për dhjetor.”, ka thënë Molliqaj.
Ai ka kritikuar që liderët e partive kanë pranuar të shkojnë në takime me Kurtin.
“Takimet e opozitës me Kurtin janë gabim. Tash ka vetëm një rrugëdalje. Duhet me ftu popullin e Kosovës, kundër marrjes peng të institucioneve nga partia në pushtet. Këta veç demokrat nuk janë. Bashkëpunimi me ta është me i shërby autoritarëve. Vendi duhet me u ballafaqu me protesta qytetare.”, ka thënë ai ndër të tjerash.