
Kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur rezolutën e sotme të Parlamentit Evropian për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për situatën në veri të Kosovës.
Kurti nëpërmjet një postimi në platformën “X” ka thënë se Parlamenti Evropian të enjten bëri thirrje edhe për rritjen e sigurisë në Kosovë dhe ka kërkuar nga Serbia të ndalojë mbështetjen e grupeve terroriste.
“Ndër masat e tjera, ai bën thirrje për rritjen e sigurisë për Kosovën dhe i kërkon Serbisë të shmangë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, të ndalojë çdo mbështetje për formacionet terroriste dhe të tërheqë të gjitha bazat e saj operative ushtarake përgjatë kufirit”, ka shkruar Kurti.
Parlamenti Evropian ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.
Këto janë përfshirë në rezolutën për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për situatën në veri të Kosovës.
Teksti i kësaj rezolute, që u hodh në votim në seancën plenare të 19 tetorit, është përpiluar duke marrë parasysh disa propozime të grupeve politike në PE.
