
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Po vazhdon të kërkohet edhe më tej zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Këshilli Evropian kanë thënë se palët duhet të zbatojnë detyrimet e tyre pa kushte. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përveç që ditë më parë paraqiti kushtet për themelimin e Asociacionit, ai të premten tha se është i bindur që serbët e Kosovës nuk e duan atë. Edhe njohësit politik e shohin problematike zbatimin e këtyre marrëveshje, pavarësisht insistimeve të BE-së e SHBA-së.
Shefat e shteteve të Bashkimit Evropian kanë dhënë disa propozime lidhur me raportin mes Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ata kanë kërkuar që dy palët t’i pranojnë dhe zbatojnë pa kushte, marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2013 dhe 2015, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këto konkluzione, pas punimeve dy ditore, i mirëpriti Këshilli Evropian.
“Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve që të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, detyrimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë temë diskutimi në samitin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së, që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.”-Këshilli Evropian
Mirëpo, i pari i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, është shprehur i bindur që as vet serbët e Kosovës nuk e duan formimin e asociacionit.
Megjithatë, njohësit e çështjeve politike e shohin problematike zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri me tani.
Analisti Bekim Kabashi ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja po tentojnë të pajtojnë palët, për gjetjen e një zgjidhjeje.
Pavarësisht kërkesave të BE-së dhe ShBA-së, për mos vënie të kushteve në procesin e dialogut, ditë më parë, kryeministri Kurti, ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës gjashtë kushte për themelimin e asociacionit, ndër të tjera edhe njohja reciproke.