Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Kurti: Njohja reciproke e vetmja zgjidhje

Gazeta10
01 March 2023 - 19:02

Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10

Pavarësisht që propozimi evropian nuk parasheh njohje reciproke, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se vetëm një vendim i tillë, mundëson normalizimin e raporteve me Serbinë. Por, ai ka kritikuar presidentin serb se ka shkelur marrëveshjen për të cilën janë pajtuar të hënën në Bruksel. Ndërkaq, kritik lidhur me përmbajtjen e dokumentit evropian janë shprehur nga opozita, derisa njohës të kushtetutës kanë thënë se propozimi rrezikon funksionimin e shtetit.

Dy ditë pas pajtimit në Bruksel për propozimin evropian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se nuk i është përmbajtur një dokumenti të tillë.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se Vuçiqi me deklarimet e tij se do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e ka shkelur nenin e katërt të planit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të nenit të 4 të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë.”- Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës

Ndërkaq, në një deklarim të tij gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, Kurti ka folur për dialogun e Brukselit.

Ai ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mund të ndodhë vetëm me njohje të ndërsjellë.

E kritika të shumta ndaj kryeministrit Kurti, ka adresuar paraardhësi i tij, Avdullah Hoti.

Sipas deputetit të LDK-së, kreu i ekzekutivit kosovar është pajtuar për një marrëveshje që është në favor vetëm të Serbisë, derisa Kurtin e ka quajtur si mashtrues.

Ndërkaq, profesorit të së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se propozimi evropian nuk është në përputhje dhe me frymën e Kushtetutës.

Ai ka thënë se disa prej neneve të këtij dokumenti u japin autonomi serbëve, duke krijuar shtet brenda shtetit.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 27 shkurt në Bruksel për propozimin evropian që si synim ka normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja shteteve.

Ky dokument ka 11 nene dhe për disa prej tyre ka pasur reagime të shumta se e dëmtojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Lidhur me zbatimin e këtyre pikave, SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë thirrje që palët të gjejnë pajtim, për çka janë paralajmëruar takime të radhës në mars.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
15 August 2026
Lajme
15 August 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.