
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se buxheti i vitit të ardhshëm është rreth 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.
Sipas Kurtit, 908 milionë euro janë paraparë për financimin e komunave, ndërsa për herë të parë mbi 1 miliard euro do të ndahen për investime kapitale.
Një ndër pikat kryesore të projektbuxhetit është rritja e pagave në sektorin publik. Kurti bëri të ditur se është paraparë pagesa e pagës së 13-të, ndërsa nga 1 korriku 2027 koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro. Buxheti për paga dhe mëditje, sipas tij, do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu rritjen graduale të shtesave për fëmijë. Rritja e parë prej 25 për qind do të nisë më 1 janar 2027, ndërsa do të vazhdojë çdo vit deri në vitin 2030, me synimin që shtesat të dyfishohen.
Në sektorin e shëndetësisë, Qeveria ka paraparë rritjen e financimit për barnat esenciale, punësimin e 120 profesionistëve të rinj shëndetësorë në SHSKUK, si dhe investime në pajisje moderne mjekësore dhe në ndërtimin e qendrave të reja të mjekësisë familjare.
Sa i përket investimeve kapitale, Kurti përmendi nisjen e përgatitjeve për projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë Unazën e Jashtme të Prishtinës, segmentin Duhël–Banullë dhe Autoudhën e Dukagjinit. Në plan janë edhe investimet në diga të reja, sigurinë ujore dhe sistemin e grumbullimit e klasifikimit të mbeturinave.
Një tjetër nismë e prezantuar nga Kurti është themelimi i kompanisë kombëtare ajrore, me synimin për zgjerimin e lidhjeve ajrore të Kosovës dhe promovimin e vendit në tregjet ndërkombëtare.
Projektbuxheti parasheh edhe investime në turizëm, përfshirë krijimin e kushteve për zhvillimin e resorteve turistike në Brezovicë dhe në rajonin e Dukagjinit, përkatësisht në Bjeshkët e Nemuna.
Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, janë paraparë mjete të veçanta për kompletimin e infrastrukturës sportive.
Kurti tha se projektbuxheti i vitit 2027 është buxheti i parë i mandatit të ri dhe synon të kombinojë mbështetjen për qytetarët me investimet afatgjata në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, siguri ujore, sport dhe turizëm.
Ai theksoi se synimi është që rritja ekonomike të përkthehet në vende të reja pune, shërbime më cilësore dhe mundësi më të mëdha për qytetarët dhe bizneset.