
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Koalicioni Shqiptar në zgjedhjet e së dielës në Serbi ka arritur rezultatin më të lartë të votave për shqiptarët që nga viti 2000, duke marrë 27 mijë e 607 vota.
Sipas tij, ky rezultat është dëshmi e rëndësisë së bashkimit të subjekteve politike shqiptare, pavarësisht dallimeve mes tyre.
Kurti ka theksuar se shqiptarët janë renditur të dytët për nga numri i votave dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, në mesin e listave të pakicave kombëtare në Serbi.
“Të dielën që lamë pas, u mbajtën zgjedhjet në Serbi, në këto zgjedhje pati disa arritje historike. Koalicioni Shqiptar morri 27.607 vota, ky është rezultati më i lartë i shqiptarëve që nga viti 2000. Plot 1.233 vota më shumë se sa në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate. Me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, ky rezultat ka ekuivalentin përllogaritës të 37.354 votave. Shqiptarët janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët ndër listat e pakicave kombëtare”, tha ai.