Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti takohet me kongresistin Wilson, në fokus thëllimi i marrëdhënieve SHBA – Kosovë

Gazeta10
21 September 2026 - 22:29

Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Sipas njoftimit,.Kryeministri Kurti theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i rëndësishëm i Kosovës dhe se ky partneritet mbetet themelor për sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë.

Në takim u diskutua për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në siguri dhe mbrojtje, investime dhe sundim të ligjit. Po ashtu u bisedua për synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe për partneritetin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Iowa-s, që nga viti 2011. Ndërsa u theksua se nga konsumuese, Kosova është shndërruar në kontribuuese në sigurinë ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti dhe kongresisti Wilson gjithashtu folën për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e ruajtjes së orientimit euroatlantik të rajonit dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Me kongresistin Wilson, i cili është njëherësh aktiv në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, kryeministri Kurti diskutoi edhe për aspiratën e Kosovës që të avancojë drejt pjesëmarrjes së plotë në OSBE.

Vëmendje të veçantë iu kushtua shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nënpërfaqësimit të tyre në institucionet publike, polici, gjyqësor e shëndetësi, pasivizimit të adresave, pengesave ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe mosnjohjes së diplomave të fituara në Kosovë.

I shoqëruar edhe nga deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryeministri kërkoi që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mbrohen në Komisionin e Helsinkit dhe shkelja e tyre të trajtohet në komunikimet me Beogradin.

Kryeministri Kurti e falënderoi kongresistin Wilson për mbështetjen ndaj Kosovës dhe për angazhimin në çështjet e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në rajon. Ai e ftoi kongresistin Wilson që ta vizitojë përsëri Republikën e Kosovës, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.