
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári dhe Shefin e EULEX-it, z. Lars Gunnar Wigemark.
Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, përbrenda mandateve që kanë.
U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.
Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.
U theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.
Kurti paralajmëroj një takim të tillë të shtunën.
“Meqë sonte është Krishtlindja, ne duhet të kemi shumë shpejt pas saj një takim me komandantin e KFOR-it dhe unë si kryeministër, e në të cilën besoj që të sqarojmë gjithçka por, kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht. Nga ai takim të cilin presim që ta kemi me komandantin e KFOR menjëherë pas Krishtlindjes besoj që do të sqarohet gjithçka dhe mund të ju japim përgjigje”, tha Kurti në konferencën e së shtunës.
Sot janë bërë 17 ditë prej kur serbët kanë vendosur barrikada në veri duke bllokuar rrugët.
Herë pas here ka pasur edhe sulme me shok bomba dhe të shtëna më armë zjarr.
Një sulm i tillë me të shtëna armësh ndodhi edhe dje në Zubin Potok, në afërsi të patrullës së KFOR-it./Gazeta10