
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka shprehur vlerësim të lartë ndaj shtetit të Francës, duke e cilësuar si një nga miqtë e parë të Kosovës.
Kreu i ekzekutivit mori pjesën në ngjarjen e organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë për nder të ditës kombëtare të këtij shteti që është 14 korriku.
Shpesh, Kurti 14 korrikun e ka pasur si referencë të deklarimeve publike, për shkak të Revolucionit Borgjez Francës, një ngjarje historike që ndryshoi rrjedhën ideore të Francës, dhe jo vetëm të saj.
Duke iu referuar Francës, Kurti citoi deklaratën e presidentit amerikan Joe Biden i cili gjatë një vizite në Paris më 8 qershor të këtij viti kishte thënë se “ishte miku ynë i parë”, duke iu referuar SHBA-ve.
Kështu e beson edhe Kurti raportin e Francës me Kosovën, si një nga miqtë më të mirë të Kosovës që nga viti 1999 e këndej – duke u shprehur falënderues për përkrahjen.
“Me 8 qershor të këtij viti, me rastin e vizitës së tij shtetërore në Francë, presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, tha për Francën se “ishte miku ynë i parë” dhe “ajo mbetet një prej miqve tanë më të mirë”. Gati të njëjtën mund ta them edhe unë, në emër të Kosovës. Prej ndërhyrjes së NATO-s në 1999, deri në Deklaratën e Pavarësisë në 2008, e deri më sot, Franca ka qenë ndër miqtë e parë të Kosovës dhe vazhdon të jetë ndër më të mirët. Në momentet më të rëndësishme të historisë sonë, si popull dhe si shtet, në raste të gëzimit dhe ato të pikëllimit, juve ju kemi gjetur në krah. Për këtë, kemi qenë, jemi sot, dhe do të jemi përherë, falënderues”, ka thënë Kurti.