Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti thotë se zgjedhja e presidentit duhet bërë në bashkëpunim me opozitën: Jemi të gatshëm për komunikim

Gazeta10
12 June 2026 - 11:38

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se procesi i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar, duke theksuar se rezultatet përfundimtare do të mundësojnë nisjen e diskutimeve për hapat e ardhshëm politikë.

“Jemi ende duke pritur numërimin e votave. Votat janë ende duke ardhur dhe duke u numëruar. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave ne do të mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm. Duhet ta keni parasysh atë që është evidente përsëri, që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e padiskutueshme bashkë me partnerët tanë të koalicionit parazgjedhor. Ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”, ka deklaruar ai, raporton eo.

Kurti është shprehur optimist edhe për procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket formimit të Qeverisë”, është shprehur ai.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së re, Kurti ka theksuar se ky proces kërkon bashkëpunim me partitë opozitare, për shkak të kërkesave kushtetuese për sigurimin e votave të nevojshme.

“Sa i përket zgjedhjes së presidentit, ju e dini që këtë duhet bërë në bashkëpunim me opozitën për shkak të asaj kërkese të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një dekade, që kërkohen 80 deputetë t’i kenë votat e tyre të fshehta në kuti. Jemi të gatshëm, jemi të vullnetshëm, jemi të interesuar për komunikim dhe bashkëpunim por kjo nuk është asgjë e re nga ana jonë”, ka shtuar ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.