
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se takimi i radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet në Maqedoninë Veriore, raporton Gazeta10.
Kurti në Forumin Ekonomik që po mbahet në Shkup, i ka treguar arsyet se pse Bashkimi Evropian zgjodhi Maqedoninë Veriore për takimin e ardhshëm me Vuçiqin.
Ai ka përmendur marrëveshjen e Kumanovës më të cilin akt kapitulloi Jugosllavia, si element që mund të ketë ndikuar në përzgjedhjen e këtij vendi.
“Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishim të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ftoj në Maqedoni për takimin e radhës të nivelit të lartë.” – ka thënë Kurti.
Kurti në këtë forum ka folur edhe për marrëdhëniet me Serbinë, që sipas tij, duhet të normalizohen vetëm më njohje reciproke.
“…mendoj se normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet me njohje të ndërsjellë si pjesë qendrore. Kjo është thënë nga presidenti Biden, sekretari Blinken, kancelari Scholz, që njohja e ndërsjellë, është esenca, pjesa qendrore e normalizimit të plotë të marrëdhënieve për të cilën jemi duke u munduar me shumë zell ta ndërtojmë dhe të vazhdojmë tutje me propozimin e BE-së, i cili iu është prezantuar dy palëve, mua dhe presidentit të Serbisë, dhe kemi pranuar tekstin me këtë propozim dhe kemi miratuar në dy kryeqytetet dhe pastaj në Bruksel.” – ka thënë ai./Gazeta10