
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë para studentëve në Vjenë të Austrisë se Kosova ka progres ekonomik, raporton Gazeta10.
Kurti më tej ka folur edhe për të arriturat e Kosovës si dhe për synimet e politikës së jashtme.
“Kryeministri Kurti prezantoi të arriturat e gjithmbarshme të Kosovës, sidomos progresin ekonomik dhe demokratik në vitin e fundit. Para rreth 90 studentëve ndërkombëtarë që vijojnë studimet master për të drejtat e njeriut dhe demokratizim, ai foli për arritjet e qeverisë dhe për reformat e filluara, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe për politikën e jashtme dhe synimet e Republikës së Kosovës për integrim në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
I pari i ekzekutivit ka biseduar me studentët dhe profesorët aty lidhur me programin e Qeverisë në disa pika të tij.
Bashkëbiseduesit e kanë falënderuar Kurtin për këtë diskutim.
“Pas prezantimit të shkurtër, Kryeministri bashkëbisedoi me studentët dhe profesorët e pranishëm, të cilët parashtruan pyetje dhe zgjeruan diskutimin mbi pikat e Programit të Qeverisë, që lidhen me ekonominë dhe investimet, drejtësinë dhe procesin e vetingut, si dhe edukimin dhe sistemin dual të arsimit. Studentët dhe profesorët e pranishëm falënderuan kryeministrin Kurti për këtë diskutim”, thuhet tutje në komunikatë. / Gazeta10