
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se uniforma e Policisë së Kosovës është e shenjtë dhe mund të vishet vetëm nga ata që e duan Republikën dhe i shërbejnë asaj pa kushte.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë homazheve në nderim të 25 zyrtarëve policorë të rënë në detyrë, përfshirë heronjtë Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku.
“Uniforma e Policisë së Kosovës është e shenjtë dhe mund të vishet vetëm nga ata e ato që, përveçse kanë dinjitet, dije e përgatitje, e duan Republikën dhe i shërbejnë asaj pa kushte”, u shpreh Kurti.
Ai vlerësoi sakrificën dhe përkushtimin e policëve të rënë, duke theksuar se ata dhanë jetën për rendin, sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.