
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se deri në fund të dhjetorit të vitit 2026 pritet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës së municionit në Gjakovë dhe të realizohet prodhimi i parë testues. Ndërsa laboratorët, depot dhe objektet e tjera të kompleksit parashihet të përfundojnë gjatë vitit 2027.
Këto deklarata Kurti i bëri në seancën e Kuvendit të Kosovës, në përgjigje të pyetjes së deputetes së Partisw Demokratike tw Kosovws, Besa Kabashi-Ramaj, e cila kërkoi sqarime për financimin, detyrimet financiare dhe afatet e funksionalizimit të fabrikës.
Kurti tha se kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për vendin dhe për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.
Sipas tij, prodhimi vendor do të forcojë qëndrueshmërinë e Kosovës në furnizimin me municione për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë, duke ulur varësinë nga prodhuesit e huaj.
Ai bëri të ditur se para nënshkrimit të kontratës janë realizuar dy studime të fizibilitetit nga dy kompani të vendeve anëtare të NATO-s.
Sa i përket ndarjes prej një milion eurosh në projektbuxhetin e vitit 2027 për projektin “Rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes”, Kurti sqaroi se kjo shumë i referohet rrethojës së zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 144 hektarë.
Ndërkaq, deputetja Besa Kabashi-Ramaj kërkoi të dijë se në cilin program, nënprogram dhe projekt buxhetor është paraparë financimi i fabrikës për vitin 2027, me çfarë kodi dhe me çfarë shume konkrete.
Ajo po ashtu kërkoi informacione për vlerën e përgjithshme të detyrimeve financiare që rrjedhin nga marrëveshja me kompaninë turke, shumën e paguar deri më tani dhe afatin aktual të funksionalizimit të fabrikës.
Në fund, Kurti tha se nuk është e dobishme që emrat e kompanive dhe shtetet prej nga vijnë ato të bëhen publike, pasi sipas tij, kjo mund t’u mundësojë kundërshtarëve dhe armiqve të Kosovës t’u qasen atyre.