
Të enjtën kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) rikonfirmoi Lumir Abdixhikun në postin e kryetarit, pasi shumica e delegatëve nuk mbështetën nismën për shkarkimin e tij.
Në punime morën pjesë rreth 327–328 delegatë, ndërsa deputeti i kësaj partie, Arben Gashi për Kanal10 bëri të ditur se votimi u zhvillua në mënyrë të fshehtë me pyetjen: “A jeni për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku?”
Nga votimi, 170 delegatë votuan kundër shkarkimit, ndërsa 152 votuan pro, duke bërë që nisma të mos kalojë dhe Abdixhiku të vazhdojë drejtimin e partisë.
Para votimit, Abdixhiku e cilësoi nismën si të gabuar dhe të papërshtatshme, duke thënë se energjia e shpenzuar në përplasjet e brendshme do të duhej të ishte orientuar drejt zgjedhjeve. Ai kritikoi edhe gjuhën e përdorur gjatë javëve të fundit në debatet brenda partisë.
Në anën tjetër, deputeti Armend Zemaj, një nga iniciatorët e nismës, tha se lidershipi duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe kërkoi ndryshim në drejtimin e LDK-së. Pas debateve, Kuvendi ndërpreu diskutimet dhe kaloi në votim me dyer të mbyllura.
Pas shpalljes së rezultatit, Abdixhiku reagoi me një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale: “Ju faleminderit! I juaji, Lumiri.”
Anëtari i kësaj partie, Xhafer Tahiri në lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Adresa” në Kanal 10, Tahiri tha se pas rezultatit nuk do të ketë përçarje brenda partisë, duke theksuar se LDK do të vazhdojë e bashkuar.