
Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e tretë më e madhe në vend, këtë të shtunë mban Kuvendin zgjedhor, nga i cili pritet të shihet niveli i demokracisë së brendshme dhe drejtimi i ardhshëm i partisë.
Derisa kryetari aktual Lumir Abdixhiku thekson se vendimmarrja në LDK bëhet përmes debatit dhe votës së lirë, ish-kryeministri Avdullah Hoti ka shpallur kandidaturën për kryetar.
“LDK nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara. Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo. Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe”
Avdullah Hoti, ish‑kryeministër dhe anëtar i kryesisë së partisë me të shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së, ka premtuar ringritje politike dhe organizative.
“Në këtë moment vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, unë zotohem me përgjegjësi të plotë të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë. Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë. Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Jam thellësisht i bindur se potenciali i LDK-së është shumë më i madh”
Paralelisht me garën në qendër, pakënaqësi dhe akuza për krizë organizative po shfaqen edhe në degë komunale, si në Podujevë, ku anëtari Agim Veliu kërkon ndryshime dhe përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme.
“ Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi. Për më shumë se 30 vite Dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës. Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj”
Njohës të rrethanave politike presin që për të udhëhequr këtë parti do të jenë disa kandidat. /GAZETA10/