Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë në “Politiko” ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Kosovë dhe Serbi, raporton Gazeta10.
Lajçak, ka thënë se ai do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për tu siguruar që të dyja vendet po respektojnë marrëveshjen për targat e automjeteve.
Gjatë këtyre takimeve sipas Lajçak temë diskutimi do të jenë edhe hapat e ardhshëm për normalizim të marrëdhënieve sipas planit franko-gjerman.
“Pra, për momentin jemi pozitiv dhe mendojmë se realisht nuk duhet të përballemi me një krizë tjetër në terren por duhet të fokusohemi në normalizim të marrëdhënieve. Për t’u siguruar që po e shfrytëzojmë këtë momentum, po planifikoj që javën tjetër të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin, për të takuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq për të diskutuar hapat e ardhshëm të normalizimit bazuar në dokumentin që unë e kam paraqitur në muajin shtator, si dhe në komentet që kemi marrë nga Prishtina dhe Beogradi javëve të fundit .Dhe tani po planifikoj të vij javën tjetër për të vazhduar diskutimin tonë bazuar në këtë propozim mbi këto komente dhe për të folur për hapat e ardhshëm dhe më pas të përgatitet takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i cili do t’i kushtohet plotësisht këtij propozimi dhe procesit të normalizimit. Dhe ne po diskutojmë edhe datat e mundshme të takimit të ardhshëm.”, ka thënë në Kanal10 emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Tutje, Lajçak ka thënë se ata iu besojnë partnerëve për zbatimin e marrëveshjes për targat por BE-ja po vazhdon ta monitorojë zbatimin e saj./Gazeta10