Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

​Lajçak: Para konfrontimit, fokusohemi te normalizimi

Gazeta10
11 May 2023 - 19:02

Raporti: Fjolla Xheladin/ Kanal10

Emisari i BE-së , Miroslav Lajçak ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku është takuar me kryeministrin e vendit, Albin Kurti. E pas takimit, Lajçak deklaroi se kanë biseduar për hapat e mëtejmë të dialogut, duke thënë se kanë dy zgjidhje: normalizim ose konfrontim. Por, ai ka thënë se duhet të jenë të fokusuar tek normalizimi i. raporteve. Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se marrëveshja duhet zbatuar tërësisht dhe pa vonesa.

Para konfrontimit, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se do të zgjedhin normalizimin.

Këto porosi emisari evropian i ka përcjellë gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, ku është takuar me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Ai ka thënë se të dyja palët duhet të fokusohen te normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, derisa ka bërë të ditur se me kreun e ekzekutivit kosovar ka diskutuar për hapat e mëtejshëm në procesin e dialogut.


“Është shumë e rëndësishme që ne të kemi qartësi, ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë. Pra, ky ishte qëllimi, ne kishim, siç thash, një diskutim shumë intensiv, por shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm me kryeministrin Kurti. Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim, dhe ne duam patjetër të fokusohemi plotësisht te normalizimi. Kjo është arsyeja pse ne duam të shmangim çdo përshkallëzim apo çdo konfrontim. Kjo nuk është në interesin e askujt.”

Lajçak ka thënë se me Kurtin kanë diskutuar në detaje lidhur me hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Emisari evropian ka thënë se do BE-ja do të gjejë një mes ndërmjet draft-statutit të propozuar nga ekipi menaxhues dhe draft-versionit të paraqitur nga Qeveria e Kosovës.


“Se si e sheh Bashkimi Evropian procesin e hartimit të statutit kemi diskutuar në detaje me kryeministrin dhe mendoj se ne e kuptojmë mirë procesin. Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë një rrugë të mesme, dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë. Ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është ajo që bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane dhe që është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Dhe e kemi thënë që në fillim, kështu që nuk do të them më shumë në këtë pikë, mendoj se jam mjaft i qartë.”

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se takimi i së enjtes me Lajçak, ishte vazhdim i takimit të zhvilluar më 2 maj në Bruksel.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se ka insistuar që marrëveshja me Serbinë të zbatohet në përpikëri, duke u shprehur se janë të interesuar që të bashkëpunojnë për ta shkruar bashkë një vizion për komunitetin serb në Kosovë, sa i përket nivelit adekuat të vetëmenaxhimit.

Ndërkaq, Instituti Demokratik i Kosovës e ka konsideruar të papranueshëm çdo model të Asociacionit të prezantuar në dialog që bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Pas Prishtinës, emisari i BE-së do të vizitojë edhe Beogradin, derisa një takim i radhës ndërmjet kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të zhvillohet më 15 maj në Bruksel.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.