
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Emisari i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se ka bërë raportimin pas vizitës që ka pasur me krerët e Kosovës dhe Serbisë. Lajçak ka shkruar se ka pasur pritëshmëri rreth arritjes së një dialogu me ta, por përveç disa sinjaleve pozitive, ka theksuar se tensioni në veri është ende i lartë.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka raportuar para zyrtarëve në Bruksel për vizitat që ka pasur javën e kaluar në Kosovë e Serbi.
Lajçak, në rrjete sociale ka shkruar se së bashku me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, kanë shpresuar për rezultate më të mira, pasi që tënsionet sipas tij janë akoma të larta.
“Escobar dhe unë kemi shpresuar për më shumë si rezultat i misionit tonë, por fatkeqësisht, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, tensionet janë ende të larta.”, tha Lajçak.
Megjithatë, sipas analistit politik Blerim Gashi, para plotësimit të tri kërkesave të ndërkombëtarëve, vijnë parakushtet tjera që sipas tij janë, sundimi i ligjit, të drejtat e qytetarëve e mosbojkotimi i zgjedhjeve.
Sipas Gashit, duhet të gjinden modalitete për moscenimin e sovranitetit.
Kurse, sipas njohësit të zhvillimeve politike, Visar Xani, çdo përpjekje e faktorit ndërkombëtar është për të mirën e arritjes së një marrëveshjeje finale mes Kosovës e Serbisë.
Dialogu është zgjidhja e vetme për shtensionimin situatës së krijuar së fundmi në veri, andaj sipas Xanit, duhet të shtohet presioni ndërkombëtar, e sidomos ndaj Beogradit.
Pas tensionimit të 29 majit në veri, dy emisarët euro-amerikanë, kanë qëndruar në Prishtinë e Beograd, ku kanë takuar përfaqësuesit e të dyja shteteve.
Takimin me kryeministrin, Albin Kurti, diplomatët e quajtën të vështirë pas shumë orësh diskutimesh, duke mos dhënë detaje konkrete.
Përveç Lajçakut, edhe Escobar ka raportuar në Shtëpinë e Bardhë./Gazeta10