
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Parlamenti Evropian i ka dhënë fund pritjes së kamotshme për udhëtimin pa viza të kosovarëve në BE. Të martën, u vendos që nga janari i 2024-ës, qytetarët mund të lëvizin lirshëm pa pasur nevojë të pajisen me viza. Qytetarët i janë gëzuar këtij lajmi ndonëse thanë se ky proces është vonuar.
Nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në shtetet evropiane.
Këtë të martë, Parlamenti Evropian, ka votuar për Liberalizimin e vizave në zonën Schengen.
Qytetarët i janë gëzuar këtij lajmi të shumëpritur. Ata më nuk do të detyrohen të presin me orë para ambasadave për ta marrë një vizë.
Lajmi për heqjen e vizave është pritur në mënyrë të ndryshme nga qytetarët.
Dikush i është gëzuar, e të tjerë që thonë se shumë të rinj mund të largohen nga vendi.
Për këtë vendim, Kosovën e ka uruar edhe Raportuesja e Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Crammone, duke thënë se kosovarëve i është bërë e padrejtë që një kohë e gjatë.
“Të dashur qytetrar të Kosovës, ju urojmë liberalizimin e vizave, më në fund kemi votën . Ju keni pritur që një kohë të gjatë, ishte shumë e padrejtë nuk ishte e justifikuar, kushtet ishin përmbushur. Tani ju mund ta vizitoni Gjermaninë, Austrinë, familjarët shoqërinë dhe për këtë jam shumë e lumtur.”, u shpreh Viola Von Cramon – Kryetare e Parlamentit Evropian.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten uroi Kosovën dhe tha se tani mund të hapet kapitulli tjetër.
“Parlamenti Evropian jep dritën jeshile përfundimtare për udhëtimin pa viza në BE për Kosovën !Krenar që më në fund e realizuam këtë premtim të vonuar të BE-së për qytetarët e Kosovës. Ju jeni pjesë e Evropës! Tani mund të hapim kapitullin tjetër duke ndërtuar më tej të ardhmen tonë të përbashkët .”, tha Thijs Reuten – Raportuesi i PE-së për Liberalizimin e Vizave për Kosovën.
Të mërkurën, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi së bashku me ministren e Jashtme Donika Gërvalla do të udhëtojnë për në Strasburg, për ceremoninë e nënshkrimit zyrtar për liberalizim të vizave.
Pas ceremonisë, do të ketë edhe konferencë për media.