Duhet Lexuar

Larg nga Shqipëria, arrestohet vrasësi i dyshuar i biznesmenit Ardian Nikulaj

Gazeta10
09 Maj 2023 - 8:19

Është arrestuar në Marok, Ruben Saraiva, vrasësi i dyshuar i biznesmenit lezhjan Ardian Nikulaj.

Policia e Shtetit bën me dije se Saraiva, shtetas portugez, është mundur të gjurmohet dhe më pas lokalizohet në Rabat të Marokut, falë bashkëpunimit edhe me autoritetet marokene.

Saraiva është vënë tashmë në pranga, dhe pritet të nisin procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.a

Ai kërkohet nga drejtësia shqiptare, pasi dyshohet se në bashkëpunim me katër shtetas britanikë të paguar nga Edmond Haxhia kanë organizuar vrasjen e Nikulajt.

Njoftimi i Policisë:

Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj.

Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë.

Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.