Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10
Ndonëse janë bërë më shumë se dy muaj që kur qindra pjesëtarë serbë dhanë dorëheqje nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në veri të vendit, ende nuk është bërë zëvendësimi i tyre. Këto institucionet po vazhdojnë edhe më tej të funksionojnë në mungesë të stafit, gjë e cila thuhet se po reflekton në punën e tyre. Nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës kanë paralajmëruar se së shpejti do të dalin me një vendim.
Që më shumë se dy muaj, institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në veri të vendit, po funksionojnë në mungesë të stafit.
Përkundër që nga nëntori i vitit të kaluar qindra pjesëtarë serbë dhanë dorëheqje nga Policia e Kosovës, gjykata e prokuroritë, ende nuk është bërë zëvendësimi i tyre.
Mungesa e stafit thuhet se ka filluar të reflektojë në punën e këtyre institucioneve.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë thënë se janë duke e trajtuar me kujdes këtë çështje dhe se gjatë muajit shkurt do të marrin një vendim.
“Gjatë shkurtit do të vendoset për dorëheqjen e tyre. Është trajtuar me kujdes maksimal ky proces”, tha Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Ndërsa, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë deklaruar se Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka transferuar përkohësisht disa prokurorë nga prokuroritë tjera dhe se janë duke analizuar situatën.
“Dorëheqje kanë ofruar 10 prokurorë nga komuniteti serb.Me qëllim të mbarëvajtjes së punës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, kemi transferuar përkohësisht prokurorë nga prokuroritë tjera në këtë prokurori. Këshilli Prokurorial i Kosovës është duke i analizuar dhe trajtuar të gjitha dorëheqjet e ofruara veç e veç, andaj pas analizimit dhe trajtimit të seciles, do të merr një vendim”, thotë Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Pas dorëheqjes së qindra zyrtarëve policorë në veri, Policia e Kosovës ka hapur konkurs për rekrutimin e stafit shtesë.
Nga PK u kanë bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë e të bëhen pjesë e saj.
“Siç jeni të informuar konkursi është hapur, përfshirë me kriteret që parashihen, ndërsa sa i përket procesit/çështjeve të mëtejme rreth konkursit në fjalë do të informoheni me kohë sipas planifikimeve/fazave që parashihen. Policia e Kosovës, ç’do herë inkurajon dhe fton qytetarët që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, tha Policia e Kosovës.
Njohës të drejtësisë e sigurisë kanë thënë se mosshqyrtimi i dorëheqjeve po rëndon punën në këto institucione, andaj edhe kanë kërkuar që sa më shpejtë të bëhet një zgjidhje.
Më 7 nëntor, zyrtarët serbë në veri të Kosovës kanë paraqitur dorëheqjet e dyre në shenjë pakënaqësie për vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve që kanë targa serbe.