
Lëvizja për Bashkim ka thënë se Kosova Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), është e domosdoshme të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë.
Përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, LB-ja ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të gjejë zgjidhje afatgjatë dhe demokratike nëse Kosova Lindore nuk bëhet pjesë e tij, transmeton Gazeta10.
“E para, është vullnet i popullatës shumicë, i shprehur me të gjitha format legale demokratike; dhe se është pjesë natyrore e trungut të Republikës së Kosovës, me vazhdimësi territoriale dhe me shumicë shqiptare;
E dyta, është detyrë e secilës palë të përfshirë në dialog që të angazhohet për arritjen e një marrëveshjeje sa më të drejtë, një marrëveshjeje që sjell paqe, stabilitet dhe zhvillim afatgjatë për të gjitha këto palë;
E treta, përfshirja e Kosovës Lindore në dialogun Kosovë-Serbi është çelësi demokratik për të gjitha palët në dialog, i cili çon në zgjidhje me paqe, stabilitet dhe zhvillim afatgjatë;
E katërta, e balancon dialogun;
Dhe, në fund, Kosova Lindore duhet të përfshihet në dialog sa më shpejt, në mënyrë që banorët e kësaj pjese të shohin një shpresë perspektive për jetën e tyre, ta ngjallin shpresën se do të shpëtojnë nga diskriminimi shekullor që përjetuan nga shteti serb.“, thuhet në qëndrimin e partisë./Gazeta10