Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, me ç’rast ka propozuar 110 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.
Kësisoj, LDK-ja është partia e parë e cila publikon listën e kandidatëve për deputetë, ndërsa listës i prinë Lumir Abdixhiku si kandidat për kryeministër.
Në fjalën e tij para Këshillit të Përgjithshëm, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar rëndësinë e ndryshimit dhe forcës së votës për të avancuar një qeverisje “më përmbajtjesore dhe më të drejtë”.
“Ky Këshill mblidhet për të votuar 33 degët e LDK-së për kandidaturë e ndryshimit. Ky votim do të sjellë qytetarëve tanë listën më përmbajtjesore, ajo përbën vendimmarrësit në katër vitet e ardhshme të gjithë jetës. Përmban të rinjtë dhe të rejat dhe ndërtojnë për të bërë një vend të jetushëm. Ky moment është jetik, po takohemi në një kohë që është në një kohë për qeverisje, gjendjet në një udhëkryq historik. Propaganda është qëllim në vetë dhe përçarja dhe polarizimi ku nxitësit e shijojnë me zell. Sa më shumë shpifje e propagandë e cila nuk sjellë rezultate për vendin. Sot ndarja jonë kombëtare ka arritur nivelet e paimagjinueshme”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka kritikuar qeverisjen e tanishme për siç ka thënë përçarjen dhe polarizimin në shoqërinë kosovare.Sipas tij, në qeverisjen e tij nuk do të ketë përndjekje të gazetarëve e as sulm ndaj gjyqësorit.
“Në Republikën tonë nuk ka vend për aparat shtetëror për të përcjellë gazetarët. Nuk ka vend për mbylljen e mediave dhe kërcënime për jetën e gazetarëve. Kur një pushtet kërkon të merren lajme nga ata do të thotë kemi problem me funksionimin shtetëror. Nuk kemi vend për sulmin në drejtësi, një Qeveri që e shkel kushtetutën 10 herë duhet të mendojë para se të akuzojë të tjerët. Shkelësit duhet të turpërohen dhe nuk duhet të lejohet. Korrupsioni do të gjykohet këtë republikë e dua unë dhe do të zotohem se do ta bëj më 9 shkurt 2025. Në Republikën tonë patriotizmi nuk është pjesë e betejave, sepse nuk ka Kosovë të partive, ka vetëm një Kosovë dhe është ëndrra jonë. Jemi popull i lirë i ëndrrave tona të mëdha”, ka thënë Abdixhiku.