
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, e ka pyetur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nëse fushata e tij është financuar nga skandali 100 milionësh i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, raporton Gazeta10.
Tahiri ka thënë se ky skandal vetëm sa po shkon dhe thellohet dhe se hulumtimi i fundit po flet për menaxhim të 100 milionë eurove nga kompania GEN.
“Sipas gazetës, dyshohet se Martin Berishaj, është paguar nga GEN-i, teksa raportohet edhe për kompaninë e Berishajt që mban emrin MB Consulting dhe ku aty madje theksohet se ambasadori kosovar ka tërhequr para të thata nga llogaritë bankare të kompanisë së tij mbi 600 mijë euro në vitin 2019-2020”.
Ai ka thënë se nga këto para dyshohet se është financuar fushata e kryeministrit Kurti përmes filialit të GEN-it në Tiranë ku janë transferuar 14 milionë euro.
“Ky skandal sa vjen e po thellohet më tepër. Hulumtimi i fundit flet për 100 milionë euro, para të cilat janë menaxhuar nga kompania GEN e të cilat dyshohet se është financuar fushata edhe e kryeministrit Kurti, përmes filialit të GEN-it në Tiranë ku janë transferuar 14 milionë euro”, ka thënë ai, raporton EO.
Më tej, ai ka thënë se LDK kërkon që këto dyshime shqetësuese të adresohen menjëherë nga Qeveria Kurti.
“Prandaj, LDK-ja kërkon që këto dyshime shqetësuese që rëndojnë mbi imazhin e kryeministrit të Kosovës të adresohen menjëherë nga Qeveria Kurti se a janë të vërteta deklarimet e hulumtimet e gazetës sllovene”.
Ai ka pyetur nëse këto para janë përdorur për ta financuar fushatë e tij politke dhe mediale.
“A janë përdorur paratë e GEN-it për të investuar në fushatën e kryeministrit Kurti dhe a përdoren këto para për të paguar njerëz që t’i përbaltin kundërshtarët politikë të kryeministrit Kurti në komente online, në media dhe në organizata të tjera”, është shprehur Tahiri. / Gazeta10.