Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka drejtuar akuza ndaj Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, duke thënë se duket se ka vendosur që t’i përdorë mjetet e programit “SuperPuna” për fushatë.
Sipas Lekajt, ka mbi tre muaj që bizneset nuk i kanë marrë mjetet nga ky program. Ai i ka bërë thirrje Muratit që t’i transferojë mjetet nga ky program në kohë tek bizneset.
“Kanë kaluar mbi tre muaj që bizneset nuk kanë marrë mjetet nga ky program, gjë që po dëmton veçanërisht bizneset e vogla familjare, të cilat kanë marrë rrezikun e punësimit të stafit të ri. Ka shumë gjasa që këto mjete janë planifikuar të transferohen gjatë fushatës zgjedhore, sepse frika nga humbja e besimit po i shtyn ata të përdorin çdo mjet të mundshëm. I bëj thirrje publike zotit Murati që t’i transferojë mjetet e SupërPunës tek bizneset në kohë, duke respektuar afatet e përcaktuara, dhe të mos i përdorë ato për qëllime votash”, ka shkruar Lekaj.