
Raporti: Kanal10
Qeverisë së Kosovës vazhdohet t’i kërkohet përcaktimi i vlerës së koeficientit në Ligjin e Pagave. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se së shpejti do të bëhet përllogaritja dhe se do të dihet paga në secilin sektor. Por, sikur në herën e parë, edhe tash ky ligj mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Një kërkesë të tillë për inicim në këtë institucion ia ka bërë Avokatit të Popullit, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Edhe pas dekretimit nga presidentja e vendit dhe pas publikimit në gazetën zyrtare, ende nuk është përcaktuar vlera e koeficientit në Ligjin e Pagave.
Për këtë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se një gjë e tillë do të përcaktohet së shpejti.
Ai ka deklaruar se e rëndësishme është që ekzekutivi tashmë i ka ndarë buxhetin për pagat, sipas ligjit të ri.
Por, pavarësisht punës së bërë në Ligjin e Pagave, ai mund të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese.
Dërgimin e këtij ligji në këtë institucion e ka kërkuar Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke iu është adresuar Avokatit të Popullit, nga i cili ka kërkuar fillimin e hetimeve për shkelje të të drejtave të njeriut.
Në kërkesë, IKD-ja ka theksuar gjetjet se Ligji cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos përcaktuar vlerën monetare të koeficientëve.
“Ndonëse ky Ligj nuk ka përcaktuar vlerën monetare të koeficientit, nga fryma e përgjithshme e tij, si p.sh. përcaktimi i dispozitave mbi shtesën transitore, dhe nga disa prej raportimeve, shihet një tendencë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.”
Zyra për Informim e Avokatit të Popullit ka konfirmuar se kanë pranuar kërkesën e Instituti Kosovar për Drejtësi ne lidhje me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, dhe se do ta shqyrtojë kërkesën brenda afateve ligjore.
Ndërkaq, kritika për mos caktimin e vlerës së koeficientit kanë vazhduar të adresojnë përfaqësues të sindikatave.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se ekzistojnë dyshime se shuma e koeficientit në Ligjin e Pagave nuk do të jetë 120 euro dhe se zbatimi i tij duhet të jetë në një linjë me pagën minimale.
Skeptikë për vlerën e koeficientit ishin shprehur sindikatat e ndryshme të punëtorëve të sektorit publik, duke thënë se çdo vlerë më pak se 50% e pagës minimale do të jetë e papranueshme për ta.
Ndryshe, Ligji për Paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22 dhjetor të vitit të kaluar. / Kanal10