Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Lindje e rrallë kryhet në Spitalin e Mitrovicës, foshnja peshon mbi 5 kilogramë

Gazeta10
18 August 2026 - 13:50

Një lindje e veçantë është realizuar në Repartin e Gjinekologjisë të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku një nënë ka sjellë në jetë në mënyrë natyrale një foshnjë me peshë 5.050 gramë.

Sipas njoftimit të spitalit, foshnja ka pasur gjatësi prej 65 centimetra dhe përmasa 65/57 centimetra.

“Në Repartin e Gjinekologjisë të Spitalit të Përgjithshëm ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, u krye me sukses një lindje e veçantë natyrale”, thuhet në njoftim.

Lindja është realizuar me kujdesin e mjekëve Vjollca Çitaku dhe Bajram Drevinja, si dhe ekipit të mamive dhe infermiereve Nazmije Gruda, Selvete Voca dhe Shengyl Xhaka.

“Kjo lindje natyrale u realizua falë përkushtimit dhe kujdesit të vazhdueshëm të mjekëve dr. Vjollca Çitaku e dr. Bajram Drevinja, si dhe ekipit të mamive dhe infermiereve”, njoftoi spitali.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë e kanë cilësuar rastin si të veçantë, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit shëndetësor gjatë procesit të lindjes.

“Ky është një rast i veçantë për spitalin tonë dhe një moment i jashtëzakonshëm që dëshmon profesionalizmin, përkushtimin dhe kujdesin e lartë të ekipit shëndetësor gjatë gjithë procesit”, thuhet në njoftim.

Spitali i ka uruar nënës dhe familjes, ndërsa foshnjës i ka dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.