
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim kampionen e Evropës në futbollin amerikan, Edona Lekun.
Lladrovci bëri të ditur se Leku është pjesë e Kombëtares së Finlandës dhe luan në vijën sulmuese, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sukseset e ekipit.
Në postimin e tij, Lladrovci ka veçuar triumfin e Finlandës në Kampionatin Evropian të femrave në futbollin amerikan, ku në finale mposhti Gjermaninë me rezultat 6:0.
Kryetari i Drenasit e ka nderuar sportisten me mirënjohje, librin e Bedri Islamit kushtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, si dhe një medaljon të punuar nga gratë e Drenasit.
Ndërsa nga Edona Leku, Lladrovci ka pranuar si dhuratë fanellën e saj me numrin 77.