
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë me dije se plani i BE-së, i cili mbremë është pranuar zyrtarisht nga kryeministri Albin Kurti, i fal Serbisë krimet që i ka kryer në Kosovë gjatë luftës.
Ajo ka vlerësuar se ky është rasti i parë në histori që një shtet i fal krimet e luftës pa kërkuar falje agresori.
“Kjo marrëveshje ia fal krimet Serbisë, e harron gjenocidin. Për herë të parë në tavolinë nuk ka më viktimë. Historia nuk njeh rast kur një shtet ia fal krimet një shteti pa kërkimfalje. ASNJËHERË krimet e luftës nuk vjetërsohen, asnjëherë. Në ankth mbesin mbi 1600 familje që nuk dijnë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre, e mbi 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës që kurrë nuk gjetën drejtësi. Tash e 24 vjet, ANKTH. Nga jo negociata pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve, në marrëveshje që nuk zbardh fatin e tyre!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
Në preambulën e dokumentit të publikuar nga BE-ja se palët pajtohen të “kapërcejnë trashëgiminë e të kaluares”.
Kjo fjali nga opozita dhe shumë njohës të rrethanave politike në vend po konsiderohet si pajtim i palës kosovare që të harrohen krimet serbe në Kosovë./Gazeta10