Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Mahnitëse”, ambasadorët shijojnë bjeshkët, bëjnë thirrje për investime në turizëm

Gazeta10
19 February 2023 - 21:41

Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10

Ambasadorët e 16 vendeve të huaja në Kosovë kanë shijuar këtë vikend nga afër bukuritë e vendit tonë. Destinacioni i tyre ishin Bjeshkët e Suharekës. Të mahnitur me pamjet dhe potencialin e madh pë turizëm, ata kanë bërë thirrje të vizitohen sa më shumë. Mikëpritësi i tyre, kryetari i Suharekës Bali Muharremaj ka shprehur nevojën e organizimeve më të shpeshta edhe në vende të tjera të Kosovës.

Bukuritë e bjeshkëve të vendit, i bënë bashkë 16 ambasadorë të huaj të akrediuar n në Kosovë.

Me iniciativë të ambasadorit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi, dhe mikpritjen e kryetarit të Suharekës, Bali Muharremaj, ata kaluan fundjavën te vendi i quajtur Guri i Diellit në fshatin Dolloc të komunës së Suharekës.

Ata u shprehën të mahnitur me bukuritë që ofron kjo zonë.

Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, tha se gjatë stinës së dimrit, për shkak të bjeshkëve shtohet edhe fluksi i vizitorëve nga Shqipëria.

“Kosova ka diçka shumë të veçantë, malet i ka shumë të bukura dhe shumë vizitorë nga Shqipëria janë në të gjitha këto resorte turistike të Kosovës, dike filluar nga Rugova, në Sharrë, Prevallë dhe kudo. Kosova është shumë e bukur dhe ne erdhëm sot për të parë njërën nga këto bukuri”, ka thënë ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi.

Kjo vizitë, përshtypje të mirë i la edhe ambasadorit britanik, Nicholas Abbott i cili vizitoi këtë zonë për herë të parë.

“Ka qenë një ditë e bukur për të gjithë ne. Kosova mund të bëjë shumë më tepër, mendoj se ka shumë sekrete të fshehura si në mjedis ashtu edhe në natyrë, por edhe në mikpritjen, të gjithë kosovarët janë mikpritës ndaj vizitorëve, mikpritja është thjesht e mrekullueshme”, ka thënë ambasadori i Britanisë, Nicholas Abbott.

E pas kësaj vizite ambasadorit norvegjez, Jens Erik Grondahl, Kosova iu duk si një ndër vendet më të bukura që ka vizituar.

“Është absolutisht e mahnitshme këtu lart, dhe mendoj se kjo zonë ka potencial shumë të madh për turizëm, agroturizëm dhe ‘hiking’. Në Norvegji, nga vij unë, ne e duam kombinimin e maleve dhe borës, kështu që mendoj se ky është një nga vendet më të bukura që kam parë deri më tani. Kjo është hera e parë në këtë vend, mirëpo unë kam qenë në vende të tjera në Kosovë, në male. Unë kam qenë në Maja e Njeriut, në Jezerc, Gjeravicë, dhe Luboten, mirëpo këtu, është hera ime e parë. Unë isha këtu me miq të mirë, dhe shijuam këtë pamje të bukur”, ka thënë ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik Grondahl

E për rëndësinë e kësaj vizite në bjeshkët e Suharekës, ka folur edhe vetë kryetari i kësaj komune Bali Muharremaj i cili tha se po punohet në zhvillimin e turizmit.

“Shpreh rastin të falënderoj ambasadorin e Shqipërisë Minxhozin, i cili ka organizuar një takim me 16 ambasadorë të Bashkimit Evropian. Sot kanë zgjedhur ta vizitojnë Suharekën ngase është vikend. Kanë pasur dëshirë të shohin bukuritë e natyrës së komunës të Suharekës. Ne jemi duke punuar për zhvillimin e turizmit dhe besoj që turizmi do të na sjellë dhe të hyra shtesë për komunën e Suharekës”, ka thënë kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.

Për ta bërë më të lehtë frekuentimin në zonat turistike të Suharekës, Muharremaj ka thënë se po punohet edhe në realizimin e rrugës lidhëse mes Suharekës e Shtërpcës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.