
Analisti politik Halil Matoshi ka komentuar zhvillimet e fundit politike pas takimeve të zhvilluara mes liderëve politikë, duke thënë se Lumir Abdixhiku dhe Fatmir Limaj nuk kanë qenë asnjëherë më afër politikisht.
Në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Matoshi tha se nuk ka interes partiak, por si qytetar dëshiron krijimin e institucioneve stabile që do të funksiononin për një mandat të plotë.
“Sot, pas takimit të tretë mes Lumir Abdixhikut dhe Albin Kurtit, vërehet një afrim i ri politik. Ndërkohë, Lumir Abdixhiku dhe Fatmir Limaj nuk kanë qenë asnjëherë më afër në aspektin politik. Nuk kam asnjë interes për asnjërën parti aktuale. Interesi im, si i çdo qytetari të Republikës, është që të krijohen institucione stabile për katër vjet”, tha Matoshi.
Ai theksoi se për çdo mundësi bashkëpunimi politik, përfshirë edhe një version të mundshëm VV-LDK, duhet të parashtrohen pyetje dhe të kërkohen sqarime.
“Ky është interesi im, por problemi është që duhet t’u shtohen disa pyetje legjitime që burojnë nga versioni VV-LDK”, u shpreh Matoshi.
Sipas tij, stabiliteti institucional mbetet çështja kryesore për qytetarët, ndërsa marrëveshjet politike duhet të shoqërohen me qartësi për politikat dhe përgjegjësitë që do të bartin partitë./Gazeta10