
Raporti: Kanal 10
Në Turqi e Siri po vazhdon të rritet numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues. Deri me tani, sipas OKB-së, shifrat kanë kaluar në mbi 33 mijë viktima. Aksioni i kërkim-shpëtimit ende po vazhdon, ndërsa, ka pasur dhjetëra të arrestuar për ndërtimet e objekteve që janë shembur dhe vjedhjen e ndihmave që po dërgohen për të mbijetuarit. E, kameramani kosovar rrëfen situatën atje, si pasojë e njërit prej tërmeteve me të fuqishme në disa dekada.
“U përpoqa i vetëm, me duart e mia të tërhiqja vajzën time, por fatkeqësisht nuk munda ta shpëtoja”.
Këto janë fjalët e një burri që u fotografua duke ia mbajtur dorën vajzës së tij 15 vjeçare, e cila kishte mbetur nën rrënojat e objektit të shembur në Kahrimanmarash, si pasojë e tërmetit të së hënës.
Numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 33 mijë në Turqi e Siri, derisa sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, numri po vazhdon të rritet çdo orë.
Megjithatë, shumë ekipe të shpëtimit janë duke kërkuar nën rrënoja për të mbijetuar të mundshëm, meqë edhe 6 ditë pas tërmetit, janë nxjerrë nga rrënojat disa persona.
Sipas raportimeve, një 35-vjeçar është nxjerr i gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në provincën jugore turke Hatay, pas 149 orë qëndrimi nën to.
Po ashtu, një vajzë dhjetëvjeçare është nxjerrë e gjallë në Hatay, 147 orë pasi tërmeti shkatërrues.
Komuna e Stambollit në një video të postuar në rrjete sociale, ka treguar momentin kur vajza nxirret nga rrënojat dhe transportohet në spital.
Ndërsa, Forcat e Sigurisë së Turqisë kanë arrestuar 98 persona të shtunën, të cilët kanë vjedhur në ndërtesat e dëmtuar, kanë grabitur apo kanë mashtruar viktimat e tërmetit të së hënës, derisa, janë lëshuar mbi 100 fletëarreste.
Ndërkohë, disa shtete kanë pezulluar punën e ekipeve të tyre të kërkim-shpëtimit, për arsye sigurie. Austria, Gjermania e Izraeli kanë thënë se situata e sigurisë nuk është në nivelin e duhur dhe deri në një vlerësim tjetër, e pezullojnë punën.
Qytete të rrënuara, të boshatisura, e pa drita, në dritaret e objekteve që kanë shpëtuar pa u shembur. Kështu e përshkruan gjendjen e qyteteve të prekura nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi, kameramani nga Kosova, Sylejman Kllokoqi.
Teksa përshkruan gjendjen kaotike, Kllokoqi thotë se kërkimet po vazhdojnë pa u ndalur. Familjarët e atyre që kanë mbetur nën gërmadha, sipas Kllokoqit, po qëndrojnë afër ndërtesave të rrënuara, me shpresën se familjarët e tyre mund të nxirren të gjallë.
Kllokoqi tregon se ndihmat janë aq të mëdha nga e gjithë bota, saqë ka ushqim të mjaftueshëm. Por, rrëfen se si ai dhe kolegu i tij kanë fjetur në veturë, pasi nuk ka vende në hotele, meqë janë mbushur me refugjatë.
Edhe qytetarët nga Kosova kanë marrë aksion për mbledhjen e ndihmave për t’i ndihmuar familjet e prekur prekura nga tërmeti në Turqi.
Në Prizren, nxënësit e shkollës fillore, “Motrat Qiriazi”, kanë mbledhur veshmbathjet personale për t’ua dhuruar fëmijëve të prekur nga tërmeti në Turqi. Donacionet po mblidhen nga shoqata humanitare, “Empati”.